

Discover more from THE FRONTLINER
Komuniteti i xhudos në Kosovë duhet t’i japë përgjegjësi publikut
Mosangazhimi i tij për ta adresuar këtë çështje dhe për ta hequr videon nga interneti, hedh dyshime mbi karakterin e tij.
Në një zbulim befasues këtë javë, ndesha në këtë video në internet dhe u shqetësova thellësisht nga përmbajtja e saj. Materiali në të cilin dyshohet se personi që flet mund të jetë Driton Kuka, titullohet “Trajneri legjendar Toni Kuka duke dhene keshilla per sportistet e rinj”. Driton Kuka është një figurë e njohur dhe e shquar në komunitetin e xhudos në Kosovë.
Ato që dëgjohen në këtë material përmbajnë elemente thellësisht shqetësuese, që kërkojnë vëmendjen e menjëhershme të publikut dhe të autoriteteve të sigurisë. Të vendosur për ta zbuluar të vërtetën, unë dhe ekipi im filluam një verifikim të gjerë, duke i kushtuar kërkimit shtesë thuajse pesë orë për të parë nëse mund të gjejmë ndonjë video të ngjashme, duke përdorur algoritme të inteligjencës artificiale dhe duke kërkuar mendime ekspertësh. Fatkeqësisht, përpjekjet tona nuk çonin në ndonjë video tjetër të ngjashme. Si rrjedhojë vendosëm ta prodhojmë një editorial, përmes të cilit shprehen dyshimet dhe kërkohet llogaridhënie.
Ajo që me të vërtetë më tronditi ishte përmbajtja e asaj që thuhej në atë material të publikuar në Reddit më 21 maj 2023. Në të mund të dëgjoni një sjellje rrëqethëse, të shoqëruar me kërcënime për dhunë fizike, në të cilin rast, ai që paraqitet në telefon e që thotë se është “Toni Kuka” përpiqet ta detyrojë një femër, moshën e së cilës nuk e përcaktojmë dot, për t'u përfshirë në një marrëdhënie intime me të. Një sjellje e tillë kriminale nuk ka vend në një shoqëri të civilizuar dhe ngre shqetësime të mëdha, veçanërisht për familjet që ia besojnë fëmijët e tyre komunitetit të xhudos në Kosovë.
Komuniteti i xhudos në Kosovë duhet ta trajtojë këtë situatë alarmante kokë më kokë. Një deklaratë publike dhe e qartë është e nevojshme urgjentisht për të hedhur dritë mbi këtë çështje dhe për ta siguruar publikun, nëse ata angazhohen për integritetin, respektin dhe sigurinë e sportistëve të tyre apo e përqafojnë një mendësi të tillë kriminale. Për më tepër, është e domosdoshme që autoritetet përkatëse të nisin një hetim të plotë për vërtetësinë dhe origjinën e dy materialeve të botuara, që ndërlidhin identitetin e Kukës - ajo që e kemi gjetur më 21 maj 2023, si dhe atë që e ka ofruar Kuka, në postimin e tij në facebook - e cila figuron e postuar më 8 janar, 2013.
Ky hetim do të shërbejë ose për të kërkuar llogari nga ai për veprimet e tij, ose për ta çliruar atë nga hijet e dyshimit që e rrethojnë aktualisht.
Megjithatë, ai duhet të jetë përgjegjës për mungesën e veprimit të tij në adresimin e videos, për të cilën ai vetë është deklaruar se ka qenë në dijeni, dhe duhet t’i sqarojë publikut nëse distancohet nga një sjellje e tillë që dëgjohet në atë video. Mosangazhimi i tij për ta adresuar këtë çështje dhe për ta hequr videon nga interneti, hedh dyshime mbi karakterin e tij dhe vë në pikëpyetje angazhimin e tij për të ruajtur një mjedis të sigurt brenda komunitetit të xhudos.
Është e rëndësishme t'ua kujtojmë Kukës dhe bashkëpunëtorëve të tij se ideja e tyre që t’i kërkojnë një gazetari të kërkojë falje ndaj një personi për të cilin dyshimet janë të hapura për veprime kriminale, është e gabuar dhe e papranueshme si e tillë. Dyshimet e shfaqura ngrenë shqetësime legjitime për përfshirjen e të dyshuarve në sjellje të paligjshme dhe jonjerëzore. Kuka nuk mund t’i shmanget kësaj çështjeje privatisht. Është e rëndësishme që pas akuzave të ketë një hetim të plotë dhe një përgjigje publike, duke marrë parasysh se ai është një person publik.
Për më tepër, pretendimi i Kukës se kjo video është rezultat i imitimit të tij nga një njeri tjetër, pesëmbëdhjetë vjet më parë, nuk e arsyeton faktin që ai ka lejuar që prova që hedhin dyshim mbi karakterin e tij të qarkullojnë në internet, pa i marrë masat e duhura. Përgjegjësia e tij si personazh publik, është që ai t'i drejtohet dhe ta informoj publikun, në lidhje me mendimet dhe parimet e tij në raport me këtë sjellje të papranueshme, të paligjshme dhe aspak civilizuese. Ai nuk duhet që t’i ndërsejë fansat e tij kundër meje, të linçojë profilin tim personal në Facebook dhe mbase edhe t’u kërkojë bashkëpunëtorëve të tij që të përpiqen të ma ofrojnë si mundësi një kërkimfalje ndaj tij, duke pohuar se unë do të përballem me drejtësinë. Me drejtësinë duhet të përballet Kuka mbi të cilin janë shfaqur dyshime.
Kërcënimet: Zbulimi i realiteteve shqetësuese brenda komunitetit të xhudos
Në vazhdën e këtyre dyshimeve dhe si pasojë e veprimeve të mëvonshme të Driton Kukës, unë jam përballur me kërcënime të shumta nga adhuruesit ose mbështetësit e tij, duke përfshirë edhe individë të cilët në profilin e tyre në Facebook, thuhet se punojnë për Federatën e Xhudos të Kosovës, ku Kuka konsiderohet si figurë e shquar. Mesazhet që kam marrë përmbajnë kërcënime të tmerrshme, duke përfshirë sugjerime për të më varur, ose për të më djegur të gjallë, si dhe fyerje të ndryshme poshtëruese. Kjo ngre pyetjen e rëndësishme nëse Kuka promovon apo pranon një sjellje të tillë brenda komunitetit të xhudos, apo nëse Kuka është duke inkurajuar të rinjtë që të përqafojnë një mentalitet kriminal, ku përdorimi i dhunës konsiderohet i pranueshëm. Duket se një mendësi e tillë kriminale është e pranueshme për ta, pasi më është konfirmuar edhe nga një prej bashkëpunëtorëve të Kukës i cili më kontaktoi privatisht dhe më tha se kërcënimet ndaj meje ishin të arsyeshme, gjykuar nga fakti që unë paskam shkruar, sipas tij, “një artikull të rremë, pa dëshmi”.

Është thelbësore që publiku ta kuptojë peshën e situatës dhe që autoritetet ta hetojnë çështjen tërësisht. Kërcënimet dhe taktikat e frikësimit, të drejtuara ndaj meje, nuk mund të injorohen ose të fshihen mënjanë. Kuka dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund të presin kërkimfalje nga ana ime, apo të presin që kjo çështje të zgjidhet privatisht. Dyshimet e paraqitura ngrenë akuza serioze për aktivitet kriminal, që përfshin detyrim seksual dhe kërcënime të dhunshme. Është e domosdoshme që Kuka t'i trajtojë këto akuza publikisht, ta denoncojë një sjellje të tillë pa mëdyshje dhe ta informoj publikun, nëse ai e pranon apo miraton një sjellje të tillë të paligjshme dhe jonjerëzore.

Pas konsultimit me përfaqësuesit e mi ligjorë në Unionin Kombëtar të Gazetarëve Britanikë dhe përfaqësuesit e agjencisë sime, jam i detyruar të nisë një procedurë ligjore në policinë britanike dhe autoritetet e imigracionit. Kjo përfshin raportimin e kërcënimeve me vdekje që kam marrë. Nëse ndërmarr një veprim të tillë e të drejtë ligjor, Driton Kukës dhe bashkëpunëtorëve të tij do t’u ndalohen të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë çdo turneu të ardhshëm. Unë i inkurajoj ata të përgjigjen në mënyrë njerëzore, t’i tërheqin kërcënimet, të kërkojnë falje të sinqertë dhe të përmbahen nga çdo përdorim i mëtejmë i kërcënimeve të dhunshme ndaj meje. Gjithashtu, i kërkoj Kukës të sqarojë publikisht se nuk jam përgjegjës për dështimet e tij në adresimin e duhur të kësaj çështjeje të rëndësishme për të mirën e publikut.
U bëj thirrje autoriteteve përgjegjëse që të veprojnë shpejt dhe me vendosmëri. Nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent mund të zbulohet e vërteta, qoftë duke kërkuar llogari nga palët përgjegjëse, qoftë duke shfajësuar Kukën nga këto dyshime të rënda. Komuniteti i xhudos, duke përfshirë anëtarët dhe drejtuesit e tij, duhet të bashkohen për t'i dhënë përparësi sigurisë dhe mirëqenies së atletëve të tyre, duke siguruar që trajnimi i xhudos të mbetet një përvojë pozitive dhe fuqizuese për të gjithë.