

Discover more from THE FRONTLINER
Kosova e Terrorizuar - 'Pasaportat, Fëmijët e Rekrutuar dhe Shteti' (5/6)
Një 19-vjeçar dogji pasaportën për të shkuar në Siri. Një tjetër i tronditi prindërit me largimiin e tij nga familja. E një prind, akuzoi autoritetet për ndihmën që mund t'i kenë dhënë djalit të tij.
Ramadan Matoshi, një muzicient, është baba i Patriot Matoshit, një kosovar që besohet të ketë vdekur në Siri duke luftuar krahas forcave të armatosura terroriste ISIS. Patrioti, 19-vjeç, pretendohet se djegi pasaportën e tij para se të shkonte në Siri, duke i sfiduar kështu dëshirat e prindërve të tij. Po ashtu, Ilaz Xhaferi, një burrë shqiptar 59-vjeçar, u trondit nga largimi i paqartë i djalit të tij, Graniti, për Siri, duke lënë familjen pas vetës. Faik Ukismajli akuzoi autoritetet shtetërore se ato e kishin ndihmuar udhëtimin e djalit të tij drejt Sirisë. Megjithë pretendimet, rrethanat përreth këtyre rasteve mbeten të paqarta, kjo e vë në mëdyshje rolin e aktorëve të ndryshëm në këto ngjarje. — Vudi Xhymshiti, Qershor 2015.
Ramadan Matoshi është një muzicient. Ai është babai i Patriot Matoshit, një kosovar i ri i cili thuhet se vdiq në Siri duke luftuar përkrah forcave ISIS.
Patrioti thuhet se vdiq si 19-vjeçar. Ramadani dhe nëna Ajshe jetojnë të dy së bashku në periferi të qytetit të Gjilanit, një lagje e varfër, por ata nuk ndajnë të njëjtat mendime për misionin e djalit të tyre. Megjithatë ata janë të dy të bindur se djali i tyre kishte flakur pasaportën e tij në zjarr, pasiqë prindërit i kishin thënë në vazhdimësi se ai nuk duhej të shkonte për të luftuar jashtë vendit.

Prijësi i tij fetar kishte qenë një hoxhë i ardhur nga Republika e Maqedonisë, i njohur si Zeqirja Qazimi, i cili kishte ndërtuar një xhami në periferi të qytetit, por jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, për çfarë autoritetet e sigurisë në Kosovë kishin pasur njohuri. Sidoqoftë, prindërit e Patriotit, kanë thënë se ata nuk kanë njohuri nëse Patrioti ndonjëherë do të kishte ripërtërirë pasaportën e tij, një fakt që pas verifikimit në polici dhe në qendrën e regjistrimit civil, rezultoi se Patrioti nuk kishte marrë një pasaportë të dytë. Por, familjarët kujtojnë se Patrioti t’ju ketë thënë se ka fluturuar në drejtim të Stambollit, por pa origjinë të destinacionit.
Tregim i ngjashëm është zbuluar edhe nga Ilaz Xhaferi, një burrë i vjetër shqiptar në moshën e tij 59-vjeçare, i cili po rënkonte i pashpresë për kthimin e të birit të tij 21-vjeçar. “…Biri im më ka tradhtuar mua” – thotë ai! Ilazi jeton me gruan e tij, e cila mezi merr frymë, së bashku me disa prej djemve të tjerë në Drobesh, një fshat në periferi të komunës së Vitisë, i cili shtrihet përgjatë kodrave jugore të pyjeve të Kosovës, vetëm pak minuta në afërsi të bazës amerikane më të madhe ushtarake në Evropë. Djali i tij Granit Xhaferi, një i rritur 21-vjeçar, me gruan e tij Sara Caka nga Verbani, kishin lënë familjen e tyre në një rrugëtim, siç kishin deklaruar ata, “për pushimet verore”.
Ilazi tha se aq shpejt sa i kishte kuptuar disa arsye të cilat e kishin bërë atë të shqetësohej, ai kishte njoftuar policinë të cilët ia kishin konfiskuar dokumentet e udhëtimit, të cilat kishin qenë të lëshuara nga Misioni i OKB-së në Kosovë UNMIK, dhe familja është e bindur se ata nuk kishin pasaportë për të udhëtuar me të, por rrugëtimin për pushime sipas prindërve, Graniti së bashku me bashkëshorten e tij Sarën, i kishin bërë me letërnjoftime. Por, dy javë pas ‘rrugëtimit të pushimeve verore’, prindërit ishin njoftuar se Graniti tashmë ishte duke luftuar në Siri, të cilin lajm e kishte konfirmuar e dashura e tij Sara, e cila besohet se është ende në Siri. I njëjti burim nga ministria e brendshme e Kosovës, pretendon që Graniti nuk kishte marrë ndonjë dokument tjetër udhëtimi në vitet e fundit.
I njëjti burim i besueshëm i konfirmuar ka theksuar shqetësimet se nuk ka asnjë informacion për rastin e raportuar të familjes Faik Ukismajli, nga fshati Manastirc, në Nerodime të komunës së Ferizajt. Babai i Arbnor Ukismajlit, Faiku, përmes kanalit të “KTV”-së ka ngritur akuzat e tij ndaj autoriteteve shtetërore të Shqipërisë, pasi që sipas tij ai denoncoi djalin e tij në polici, i cili në përputhje me rrethanat se autoritetet i kanë konfiskuar pasaportën, ai më vonë udhëtoi për në Siri përmes aeroportit të Tiranës, që është kryeqyteti i Shqipërisë – pretendon babai i Arbnorit. Unë shkova për të biseduar me familjen dhe ata me ngulm nuk pranuan të flisnin me ne, siç thonin ata, “ne nuk flasim me mediat e tjera”, duke këmbëngulur se “… KTV ka regjistruar të gjithë atë që ne kishim për të thënë”.
Megjithatë, ka diçka që nuk shkon këtu, pasi që në deklaratën e familjes Ukismajli, babai Faiku pretendon se nuk e dinte se ku e kishte të birin pas momentit kur siç pretendon ai policia t’ia ketë konfiskuar pasaportën. Ai thotë se djali i tij kishte fluturuar nga Tirana në drejtim të Stambollit, për të cilin fakt Faiku akuzon autoritetet në Tiranë.
Ne gjurmuan më shumë në fshatin Manastirc, shkuam edhe tek xhamia ku ligjëron Hoxhë Nehati, i cili akuzohet nga Faik Ukismajli se ai ia kishte bindur të birin për të shkuar në luftën e Sirisë. Derisa shkuam në drejtimin e xhamisë, një burrë me një kapelë ushtarake na ndaloi dhe tha se ishte një ish-ushtar i UÇK-së, i cili tha se tani ishte në detyrë për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Ai me një vendosmëri të hekurt na rekomandoi të mos e takonim Hoxhë Nehatin, pasi sipas tij, Hoxha është një i rrezikshëm ekstremist. Megjithatë, ne shkuam në xhami. Ishte kohë e drekës dhe hoxha po lutej me vetëm një burrë të moshuar. Ai e hapi derën dhe lehtësisht iu përgjigjë pyetjeve tona.
“Unë kam refuzuar të mbaj edhe ligjëratën për Sirinë dhe vendet e al-Shamit”, – tregoi Hoxha, duke shpjeguar tutje se fëmijët e familjes Faik Ukismajli ishin shumë pak herë një nga pjesëmarrësit në lutjet që bëheshin në atë xhami.
Njeriu me kapelë prej ushtaraku, na kishte thënë se Hoxhë Nehati iu kishte thënë të rinjëve të fshatit që është “haram të shkosh të punosh në Evropë!” Por, Hoxha tha se, “jam përpjekur t’ju them shkoni e punoni, por kthehuni në vatanin tuaj, sepse vendin nuk duhet braktisur”, duke demantuar kështu pretendimet e njeriut të panjohur që na ndaloi në rrugë.