

Discover more from THE FRONTLINER
Kosova e Terrorizuar - 'Prindërit, Mediat dhe Shteti' (4/6)
Prindërit e fëmijëve të akuzuar për terrorizëm në Kosovë vuajtën izolim social pasi disa media dhe autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë krijuar stigmatizim të madh ndaj tyre.
Prindërit e fëmijëve të rekrutuar në Kosovë akuzojnë autoritetet për shkelje të të drejtave të tyre dhe akuzojnë disa prej mediave për manipulim të informacionit dhe shkeljeve etike në rastet e arrestimeve për terrorizëm, ndërsa ndjehen të izoluar dhe të stigmatizuar nga shoqëria. — Vudi Xhymshiti, Qershor 2015.
Prindërit janë duke u përpjekur për t’i pjekur argumentimet e tyre, duke akuzar përfshirjen e autoriteteve të sigurisë në krejt këtë që ata e quajnë ‘maskaradë me fëmijët tanë!’
Duke folur me njerëz, nga veriu në lindje, nga jugu në perëndim të Kosovës, duke shqyrtuar faktet e gjetura në terren, duke folur me dëshmitarët dhe duke marrë dëshmitë e tyre, ne jemi përpjekur për të gjetur përgjigjet e prindërve, ku janë bijtë e tyre dhe çfarë i kishte motivuar ata për të lëvizë në një rrugë të tillë të pasigurtë, e cila i ka shpier në drejtimin e atillë që as kockat ‘e djegura’ nuk janë kthyer për t’u varrosur në atdhe.
Terreni ishte tërësisht i minuar, shumica e njerëzve, familjarë e hoxhallarë ishin të frikësuar nga ne që u tregonim se ishim gazetarë, e gjithë kjo për shkak të sjelljes së keqe e jo-profesionale të medieve kryesore të vendit, të cilat kanë shtrembëruar deklaratat e familjarëve, duke i manipuluar dhe duke shkelur të drejtat e tyre, duke krijuar rrethana të atilla për familjarët të cilët nuk kanë mundur të parashtrojnë ankesa edhe për të marrë ndihmë nga sistemi i drejtësisë në vend, duke i privuar kështu rëndë nga të drejtat e tyre kushtetuese, dhe duke mos u mbrojtur edhe nga ata që thirren për të mbikqyrur shkeljet etike të gazetarëve apo shkeljet ligjore të institucioneve të shtetit apo të drejtësisë mbi qytetarët apo popullatën civile, si dy mekanizmat e mëposhtëm:
KMSHK (Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës);
Avokati i Popullit.
Këto institucione, përkatësisht, KMSHK, kishte legjitimuar artikujt e gazetave verifikimi i të cilave tregoi se mediet kishin shkelur rëndë etikën profesionale dhe të drejtën njerëzore; dhe i dyti, Avokati i Popullit, kishte legjitimuar dhunën e policisë e cila sipas dëshmitarëve, policia kishte krijuar ‘situata simulimesh e të dyshimta’, për të krijuar ‘prova’ për ata që ishin në shënjestër nga operativët e shtetit – rrëfejnë e dokumentojnë dëshmitarët.
Disa civilë janë duke u mbajtur pafund në burgje, ku dëshmitë ligjore janë një pikëpyetje serioze, e familjarët janë të izoluar pothuajse tërësisht, duke u përballur me avokatë që kërkojnë të paktën € 300 në fund të pothuajse çdo jave në mënyrë që ata të mund të mbrojnë një të pandehur për të cilët autoritetet duket se kanë mungesë të dëshmive me fakte ligjore për t’i gjykuar.
Babai i njërit prej të arrestuarve në një aksion të simuluar policor Hysri Selimi, kishte deponuar një ankesë tek KMSHK kundrejt gazetës “Zëri”, e cila në numrin e saj të 12 Nëntorit 2013, shkruante për një numër të arrestuarish si të dyshuar për lidhje me “Al-Kaidën”, siç pretendonte gazeta, e cila kishte siguruar listën e emrave të të arrestuarve, duke i botuar ato. Mirëpo, pavarësisht shkeljeve etike, KMSHK legjitimon shkeljen e standardit profesional të gazetarisë në një vendim të botuar më 24/12/2013.

Hysriu ishte ankuar në KMSHK edhe kundër gazetës “KOHA Ditore” me autor gazetarin Vehbi Kajtazi, i cili në botimin e datës 12 Nëntor 2013, përveç shkeljeve drastike të privatësisë së individëve duke botuar emra dhe mbiemra pa verifikim të plotë e pa fakte mbështetëse, Kajtazi në artikullin e tij me titullin: “Luftëtarët e kthyer nga Siria, arrestohen si të dyshuar për terrorizëm”, kishte përdorur një fotografi (ballinën dhe faqen 5 të gazetës) në të cilën duket një njeri i maskuar me një armë automatike AK47, duke pretenduar se në atë fotografi gjindej i biri i Hysriut, ku në mes të tjerash autori shkruan:
“Genc. S., i armatosur dhe i maskuar. Nofka e tij është ‘Ebu Hafs Al Albani’. Me tu kthyer nga Siria është futur në përgjim dhe janë zbuluar veprimet inkriminuese.” Kështu përfundon përshkrimi i kësaj fotografie nga autori Kajtazi.
Unë e kam verifikuar këtë fotografi dhe kjo del të jetë fotografia flamurtare e përdorur nga propaganda e rrjetit terrorist “Al-Kaida” që në vitin 2006, ndërkohë që gjykuar nga viti i lindjes së “Ebu Hafs Al Albanit” të autorit Kajtazi, ai do të ketë qenë vetëm 12 vjeç, apo ndryshe në klasën e katërt fillore në Bresalc. Siç e dimë në vitin 2006 nuk kishte ndonjë konflikt në Republikën Arabe të Sirisë!
Unë gjithashtu i kam verifikuar dokumentet e udhëtimit të Gencit, i cili sot e asaj dite mbahet në burg, dhe rezulton se Genci ka rrugëtuar në drejtim të Stambollit më 14 Janar 2013, por pa një vulë dalëse nga porti ajror i Prishtinës, për çfarë hap dyshime të dokumentueshme se Genci është asistuar (apo manipuluar!) nga autoritetet në vend që të mos evidentohet një vulë dalëse në pasaportën e tij. Genci nuk ka vulë hyrëse as në portin ajror të Stambollit, pasi që autoritetet kishin vendosur ta deportonin atë në drejtim të Prishtinës, për shkak të hapjes së dyshimeve meqë nuk kishte një vulë dalëse nga Prishtina. Atëbotë, më 16 Janar 2013, siç e konfirmon i njëjti dokument, ai fluturohet mbrapa nga policia kufitare e Turqisë siç edhe përputhet dokumenti i lëshuar (Inadmissible Passenger!) me vulën hyrëse në pasaportën e Gencit, në portin ajror të Prishtinës. Që nga atëherë, dëshmitarë të tjerë dhe familja e Gencit tregojnë se Genci nuk ka dalur asnjëherë nga Kosova. Pasaporta e Gencit është lëshuar më 18 Shtator 2012 nga MPB, po në këtë vit, Genci kishte mbushur 18 vjet. Rrjetet terroriste në Siri, ishin fuqizuar dhe bërë të famshme në prill të vitit 2013, pasi forcat Perëndimore të koalicionit ishin tërhequr nga vija kufitare ndërmjet Sirisë dhe Irakut, gjë që edhe sikur të dëshironte t’i bashkohej Genci këtyre forcave teo-shoveniste, sigurisht se nuk do të ishte e mundur, pasiqë me rregulla ligjore, ai nuk kishte të drejtë të udhëtonte jashtë vendit pa lejen e të paktën njërit prej prindërve.
Ankesën e Hysri Selimit ndaj këtyre artikujve të cilët dukshëm kanë shkelur etikën dhe kanë cënuar të drejtën elementare njerëzore, duke u përfshirë kështu edhe në shkeljen e standardeve ligjore për trajtimin e drejtë dhe korrekt të të arrestuarve kundrejt të cilëve ende nuk është ndërmarr ndonjë aktgjykim final, KMSHK e kishte rrëzuar, për ta gozhduar në dhé etikën dhe standardin profesional të medias.
Gazetarët nuk kanë fakte për të mbështetur pretendimet e shkruara, pastaj mungesa e konsistencës në raportim, si dhe ndër të tjera më pas, gjuha klasifikuese e linçuese është shumë e dukshme, duke dhënë shenja të një treguesi të qartë se raportimet nuk ishin bërë për të informuar publikun, por për të krijuar një opinion të nevojshëm për organet apo mekanizmat e përfshirë në këto zhvillime, duke mos u lënë mundësi lexuesve të gjykojnë në mënyrë të pavarur. Kështu ka ndodhur edhe me shumë raportime të medieve rreth të arrestuarëve për terrorizëm.
NË SHËNJESTËR
“Çka thatë, ju jeni gazetar?! Ik prej ktuhit, tash, po du me thanë tash menihere, afati është vetëm pesë sekonda, mos um shtin me numërue një, dy, tre…”, – kjo është mënyra se si filloi biseda jonë kur ne shkuam në shtëpinë e familjes së Lavdrim Muhaxherit, një i famshëm shqiptar i kosovës luftëtar në ‘organizatën terroriste ISIS’, i cili është ish-punëtor i bazës më të madhe ushtarake të SHBA-së në Evropë.
Por, ne insistuam se duhet të ulemi dhe të flasim për të kuptuar arsyen e reagimit të tyre dhe shumë çështje tjera, për të cilat ne ishim kurioz. Me t’u afruar edhe më shumë në oborrin e shtëpisë e gjithë familja doli, derisa paraprakisht ne kishim vizituar lagjen katër herë, aty ku gjithçka ishte e vdekur, ku askush nuk kishte marr guximin të dilte jashtë. “Mos dilni, janë gazetarët, ata do të gënjejnë çfarëdo që themi ne na thoshte babai”, – thotë vllau i Lavdrimit, një shkollar i ri, emri i të cilit nuk ishte kursyer nga (disa!) mediet në Kosovë.
Njerëzit ishin të traumatizuar. Sapo njerëzit e kuptuan se ishim gazetar që nuk punonim për mediet vendore, thuajse secili familjar kishte diçka për të thënë e mes shumë gjërash ata tregonin se si nuk na besuan pasiqë siç thanë ata: “Ne nuk u besojmë më gazetarëve, e sidomos kur ata janë të Kosovës”.
Kiani Muhaxheri, babai i Lavdrimit tha se, “… ne e kemi vështirë të ju besojmë, ata t’tanët na kanë tranue, djali im më i ri u sulmua në shkollë dhe anëtarët e tjerë të familjes gojarisht janë sharë nga kalimtarë të rrugës falë raportimeve të medieve tona”, duke i rrjedhur lotët nëpër fytyrë e të kalonin e ndaleshin ato në nënstacione të tjera teksa rrëfente. “E pra, çfarë mund të them tjetër, Lavdrimi është biri im, është djali im, ai është atje, ai po lufton, nuk është tek e fundit punë e imja të vendos se çfarë bënë ai, ai është i rritur dhe i aftë për të kuptuar se çfarë po bën, çfarë prisni ju se ai është duke bërë atje, atjë është luftë, nuk është vend për lumturi, atje njerëzit vrasin njëri-tjetrin “, – shtoi ai, duke na kërkuar të largoheshim dhe ta linim të qetë. Teksa ne po largoheshim, ai vazhdonte me lotët e tij, duke na thënë edhe këtë gjë: “Unë edhe sikur të dua ta ndaloj atë, nuk mundem, ka mendimet dhe besimet e veta, më vjen keq që nuk mundëm të rrinim më shumë bashkë për të biseduar” – përfundoi Kianiu, derisa e shoqja i fliste me tone të ulëta: “Hajt se po m’doket s’kokan si kta t’ktuhit, shkrujnë qashtu qysh ke fol, mos ta nin” – i pëshpëriste ajo. Njerëzit në këtë lagje të Muhaxherit, po përballeshin me gjendjen e tyre të vështirë sociale, të margjinalizuar, ‘por edhe të terrorizuar nga shtypi i vendit’. E për të takuar familjen Muhaxheri në Kaçanik, ishte një sfidë serioze, pasi kishim lëvizur brenda dhe jashtë e atij qyteti për më shumë se pesë herë brenda dy javësh.
Para se të takoheshim me ‘familjen më famëkeqe’ të akuzuar për ‘terrorizëm islamik’, siç shkruanin mediet e Kosovës, shkuam në xhaminë kryesore të Kaçanikut. Vetëm një ditë përpara festës së Kurban-Bajramit, qeveria kishte alarmuar shqiptarët e Kosovës të mos blejnë kafshë për kurban, sepse siç ishte thënë se kishte dyshime për një lloj sëmundjeje të quajtur ‘gjuha e kaltër’. Kështu që, zyrtarët e komunitetit mysliman kishin vendosur për të shpërndarë faturën për ata që duan të japin shpërblimin për përkushtimin ndaj fesë së tyre. Një faturë e cila shënoi evidentimin e deponimit të €120, në prezencën tonë në zyrën lokale të Bashkësisë Islame në Kaçanik, acaroi zyrtarin e thesarit i cili na e tregoi vetëm emrin e tij Hamid, një burrë i gjatë me mjekër, i cili na priti në zyrën e tij. Por, kurioziteti ynë e frikësoi atë, duke u shprehur se mediet po manipulojnë me zyrtarët fetarë, dhe pa sqaruar më shumë, ai kërkoi të largoheshim nga aty.
Mjedisi i komunikimit nuk ishte aspak i përshtatshëm, dyshimet, akuzat dhe reagimet shqetësuese ndaj medias ishin të njëjta pothuaj kudo që ne trokitëm në dyert e shqiptarëve të Kosovës në të gjithë vendin. Nganjëherë disa nga familjet thonin se, “ne e dimë që ju do të gënjeni, por ne do të sigurohemi të jemi të drejtë me ju, sepse kemi hall!”
Gjatë vitit 2012, kur unë isha duke raportuar nga lufta civile e Sirisë për median gjermane “Der Spiegel”, në mesin e shumë shqiptarëve të tjerë kam takuar edhe Sadat Topojanin, të arrestuar nga veprimet policore të muajit gusht 2014. Ai ishte rreshtuar përkrah forcave laike të Ushtrisë së Lirë Siriane në Siri. Sadat Topojani është një mësues i anglishtes dhe familja e tij jeton në Kaçanik, një qytet, që kufizohet me Maqedoninë në jug të Kosovës. Vizituam edhe familjen e tij për të folur me gruan dhe nënën e Sadatit. Që të dyja këto të veshura në shami tradicionale shqiptare. Ne pamë dy prej fëmijëve të Sadatit, Davudin (3 vjeç) dhe Ebrarin (5vjeç), Ebrari ishte më i vetëdijshëm për situatën, për atë se diçka mirë nuk po shkonte; se babai i cili ia mësoi atij anglishten nuk po vinte më në shtëpi. Ebrari gjithashtu, ishte vazhdimisht i tronditur dhe megjithatë ai vërdallisej nga atletet e Sadatit duke na thënë se ai duhej t’ia dërgonte ato babait, në mënyrë që ai mund të luante futboll. Ne kemi folur me familjen dhe ata na thanë që nuk ka asnjë ankesë kundër policisë. Ata besojnë se Sadati do të kthehet në shtëpi shpejt, pasi nuk ka prova për përfshirjen e tij së bashku me forcat e xhihadit (as me ISIS, as me Al-Nusra, të njohura si grupe xhihadistësh myslimanë). Kur unë takova Sadatin në Siri, ai më tha se ishte një mysliman, por se ai kishte ardhur atje për tu përpjekur t’iu vinte në ndihmë sirianëve për të larguar regjimin e presidentit Al-Asad, kundër të cilit rreshtohej edhe vetë qeveria në Prishtinë atëbotë.

Unë e kujtoj gjithashtu se Sadati më kishte thënë që qeveria në Prishtinë kishte bërë mirë që ishte deklaruar kundër Asadit, për t’i mbështetur sirianët për ta larguar një regjim vrastar. Sidoqoftë besimin që Sadati e kishte pasur ndaj deklaratave të një ministri të qeverisë së tij në Prishtinë, mbase e kishte sjellur atë prapa prangave, ku edhe sot qëndron i burgosur.
“Ne nuk ditëm se çfarë po ndodhte, ishte gjë qesharake dhe frustruese kur policia nuk kishte asgjë për të marrë me vete, ata morën fjalët e shenjta të Kur’anit të vendosura në një kornizë ku aty shkruhej: La Ilahe Il-Allah! Unë jam muslimane dhe kjo kornizë është sjellë nga të afërmit e mi të familjes nga Turqia si një dhuratë “, – tha Nadire Topojani, nëna e Sadatit, e cila po i jeton të gjashtëdhjetat e saj, me dhembje për të birin e burgosur dhe nipat që po i rriten pa babë tash e sa muaj.
Gruaja e Sadatit Lumturia, në moshën 29-vjeçare, nuk kishte shumë për të thënë! Ajo ishte e tronditur dhe duke qarë, po përpiqej të tregonte se do të mbështeste dy djemtë e saj, të cilëve jeta ua kishte rrëmbyer babain. “Ne shpresojmë dhe unë besoj fuqimisht se burri im do të kthehet në shtëpi dhe nuk ka asgjë që do të ngarkohet kundër tij, pasi që ai nuk kishte kryer asnjë krim” – përfundoi ajo fjalën e saj, duke pyetur djalin e saj Ebrarin të na dhurojë fjalorin anglisht-shqip, autor i të cilit ishte Sadati.
Në mëngjesin e hershëm të Kurban-Bajramit vizituam disa familje të të arrestuarve, disa prej tyre nuk deshën të identifikoheshin për publikun, por familja e Genc Selimit, u pajtua me kërkesën tonë. Ata jetojnë në një fshat në jug-lindje të Kosovës. Përpjekjet e familjes për drejtësi ishin fundosur në një humnerë të plotë të izolimit shoqëror, dhe kjo nuk është e pranishme vetëm në familjen Selimi. Ne më vonë gjatë ditës vizituam edhe një familje tjetër, fëmiu i të cilëve ishte arrestuar në shtëpinë e të cilit policia kishte konfiskuar armën e gjuetisë (e licencuar!) të babait, si dhe plehrat artificiale në një përpjekje që t’i lidhin si dëshmi për terrorizmin islamik.
“Ky është një mashtrim i përgjithshëm, kjo është e gjitha një agjendë e ulët politike e qeverisë”, – tha Qamil Hyseni, babai i Musli Hysenit 30-vjeçar. “Por ne do të qëndrojmë dhe do t’ia dalim, ata herët a vonë do të lirohen” – shpreson Qamili.
»Ata morën plehun artificial duke e trajtuar atë si provë, duke thënë se me plehun artificial djali juaj ndoshta mund të kompozojë armë eksplozive, na thanë policia«, kujton Qamili deklaratën e policisë dhe aksionin e tyre ndaj të birit, Musliut.
“Ne, natyrisht që kemi pleh, ne jetojmë në fshat ta marrtë dreqi dhe ne duhet të mbajmë fushat tona” – thotë ai, duke tundur kokën dhe duke dhënë një buzëqeshje të lehtë nga lirimi i muskujve të fytyrës së tij.
Provat materiale që pretendonte policia që gjeti ndaj të birit të tij të akuzuar për terrorizëm, i dukeshin krejtësisht të montuara dhe absurde. Përveç kësaj, Qamili na tregoi se si familja Selimi dhe familja e tij, ishin izoluar plotësisht për shkak edhe të raporteve të medias dhe stigmatizimit social.
“Shumica e familjarëve, fqinjëve, nuk na vijnë më të na vizitojnë. Sot është Bajram dhe kurrë nuk kemi pasur më pak mysafirë për të na uruar këtë ditë” – kujton Qamili.
E një pamje të tillë vetmitare e izoluese, ne e gjetëm në më shumë se shtatë familje gjithandej Kosovës, në vendin e shpallur si vend i demokracisë dhe lirive njerëzore.