

Discover more from THE FRONTLINER
Shteti Si Fajtori Kryesor Për Xhihadizmin Shqiptar
Ndikimi i ISIS, roli i sauditëve, përgjegjësia e politikanëve dhe medieve në rekrutimin e të rinjve në luftën e terroristëve në Siri, si dhe nevoja për rehabilitim e të rinjve dhe përgjegjësia penale.
Autori, Vudi Xhymshiti, diskuton arsyet pse shqiptarët nuk u bashkuan në konfliktet në Gazë, Afganistan dhe Irak dhe se si politika dhe armiqësia historike me Rusinë ndikuan politikën shqiptare. Ai gjithashtu hulumton ndikimin e radikalizimit dhe rolin e mediave në Kosovë. Në fund, ai thekson nevojën për përgjegjësi për ata që inkurajuan rininë shqiptare të bashkohet me grupet ekstremiste dhe kërkon përgjegjësi ndërkombëtare. — THE FRONTLINER, Shtator 2014.
Pse shqiptarët nuk iu bashkuan luftës në Gaza; Afghanistan e Irak, sepse askush nga politikanët dhe hoxhallarët nuk e bëri këtë thirrje, ne kemi shqiptar luftëtar tani edhe në Ukrainë sipas raportimeve, po pra; sepse politikisht, Rusia është armiku ynë historik dhe se politika shqiptare mbështet një Ukrainë Evropiane pa Rusinë.

Në radhë të parë, duhet ta sqarojmë se ISIS, është një organizatë shoveniste, e cila është përgjegjëse për krime të luftës kundër njerëzimit, të cilët po mundohen të fshihen prapa kuintave të fesë islame. Kuptohet, duke mos përjashtuar faktin se edhe disa prej ajeteve’ kur’anore janë problematike, duke llogaritur dëmet që i sjellin shoqërisë njerëzore, diçka që disa prej besimtarëve myslimanë mund edhe të mos pajtohen me mua, por ja që unë kështu mendoj përmbajtësisht dhe njerëzisht.
Pavarësisht që unë në radhë të parë, jam kundër luftës si zhvillim çnjerëzor, më duhet të them se grupi ISIS, i ka thyer të gjitha konventat e luftës, kuptohet duke pasur parasysh edhe faktin që kjo nuk është diçka e re që po e shohim, duke qenë se hulumtimet e dekadave të fundit dhe ato nëpër historitë e mëhershme, na kanë treguar se edhe ushtritë e vendeve demokratike i kanë thyer në vazhdimësi konventat e luftës, për çfarë fajtorët, doemos duhet të ndiqen penalisht!
Por, le të ndalemi pak për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe të shohim se deri ku shkojnë përgjegjësitë tona si shtete dhe shoqëri.
Që nga viti 1999 e këtej, veprimet e udhëheqësisë tonë politike, kanë shkaktuar një shkatërrim sistematik të kualitetit të studimeve në universitetet publike. Për pasojë të papërgjegjësisë morale dhe ligjore të politikanëve tanë (pa dallim!), shoqëria jonë është përballur me trauma të luftës, me dëshpërim pas fazës së çlirimit, me kushte të rënda ekonomike dhe sociale, me privatizim thuajse të dështuar dhe të korruptuar në tërësi etj.
Shumica demografike kosovare është e moshës së re dhe ata kanë nevojë njerëzore për t’u bashkuar me një rreth shoqëror, për shkak të nevojës psikologjike për t’i takuar një identiteti social. Të rinjët zgjedhin të shkojnë në grupe kulturore, sportive, partiake apo edhe fetare, e zakonisht ndodh që të bashkohen me grupet fetare, pasi një xhami apo kishë, është e ndërtuar thuajse në çdo fshat e qytet, dhe për ta, xhamia apo kisha mbetet me shumë funksione, përtej atyre fetare! Aty takohen, bisedojnë dhe ndajnë hallet e përbashkëta! Po ashtu, këto institucione e kanë hyrjen falas dhe është vend ideal sidomos edhe për të varfërit!
Dyshohet se ISIS, është financuar kryesisht nga sauditët, të cilët janë në një marrëdhënie shumë të mirë me Shtëpinë e Bardhë në Uashington! Kjo e fundit madje i trajton sauditët si aleatë, këta, të cilët në çdo raport të organizatave të besueshme ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë njerëzore janë të evidentuar për shkelje drastike të këtyre të drejtave!
ShBA-të me aleatët evropianë, e kanë sanksionuar Federatën Ruse e cila dyshohet të jetë përgjegjëse për mbështetjen e seperatistëve pro-rus në Ukrainë, por ShBA dhe aleatët e saj perëndimorë, nuk po i sanksionojnë sauditët, për të cilët ka dyshime të dokumentueshme të përfshirjes së tyre në financimin e grupeve të tilla shoveniste, siç është ISIS! Ndoshta ShBA është vetë pjesë e një projekti të tillë, siç na e sugjeron edhe dokumenti i NSA, i ofruar për publikun nga ish punonjësi i tyre Edward Snowden!
Pra, për pasojë që shteti ynë nuk është kujdesur për gjeneratat tona, disa shtete të tjera, siç janë Turqia dhe Arabia Saudite, dyshohet të kenë ndërhyrë dhe përdorur rininë tonë përmes veç tjerash, edhe disa hoxhallarëve, të cilët janë lehtë të identifikueshëm si të përfshirë në procese të indoktriminit dhe politizimit fetar! Pra, Shërbimet tona të Zbulimit, përgjegjëse për Sigurinë Kombëtare, në Prishtinë dhe në Tiranë, nuk i kanë kryer detyrimet e tyre të sigurisë publike për t’i parandaluar problemet e identifikuara në kohë, dhe rrjedhimisht edhe ato janë përgjegjëse për situatën e krijuar! Për shembull hoxhallarët e dyshimtë nuk janë hetuar, dhjetëra xhami janë ndërtuar nga fonde të dyshimta dhe askush nuk i ka hetuar.
Pastaj, politikanët dhe koketimi i tyre për qëllime elektorale me imamët përgjegjës për zbatimin e politikave indoktrinuese fetare, disa prej të cilëve i kanë nxitur të rinjët t’i bashkohen radhëve të këtij grupi shovenist! Do të thuash: si është kjo?! Pra, kemi shumë raste kur gjatë fushatave parazgjedhore, politikanët e niveleve lokale dhe atyre qendrore, duke njohur ndikimin e imamëve tek grupet shoqërore në fshatra apo qytete, iu kanë kërkuar imamëve që t’i presin politikanët në tubime elektorale, dhe politikanët në ato tubime duhej të deklaronin fjalë të mëdha për imamët, si valutë për të përfituar votat e grupeve të margjinalizuara shoqërore!
Ato fjalë nga xhemati janë parë si ndikim dhe vetëm sa e kanë fuqizuar pozitën e liderit të tyre shpirtëror!
Pastaj, sidomos Kosova e pasluftës dhe zhvillimi i disa shtëpive mediale pa kritere profesionale, dhe faktit që pronarët e mediave koketojnë me grupet e ndryshme të interesit, ka shkaktuar një dëbim masiv të shtresës intelektuale, sepse, intelektualët dhe profesionistët nuk thirren në Kosovë për të kontribuar në tematikat e rëndësishme të zhvillimeve shoqërore. Për ironi, në Kosovë quhen intelektualë ata që nuk guxojnë t’a kritikojnë të keqen! Pra, kudo në botë, koncepti i një Intelektuali ka përmbajtjen e një avokati apo zëri, që qëndron i pathyeshëm si mbrojtës i interesit të shoqërisë njerëzore dhe jo grupeve të ngushta! Psiko-Sociologu Avni Rudaku, e kujton si fakt të dokumentueshëm srastin e ish kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kur ai ka vdekur, mediet nuk kanë pasur një fotografi të fundit të tij për ta përditësuar, që është një tregues se mediet nuk e kanë ftuar atë thuajse asnjëherë për t’i kontribuar tematikave në të cilat ai si akademik mund t’i kishte kontribuar shumë interesit shoqëror! Për pasojë të fushatës së izolimit ndaj intelektualëve e profesionistëve të guximshëm, një pjesë serioze e tyre janë detyruar t’i shërbejnë agjendave politike të grupeve të vogla të interesit, siç e thamë!
Të ndalemi pak tek fenomeni i xhihadit me fëmijë, i cili na e dëshmon se kur patriarkalizmi tradicional bëhet njësh me fundamentalizmin islam, atëherë bëhet i rrezikshëm, sepse prindi mashkull e konsideron veten si pronar të gruas dhe fëmijëve, prandaj ai bënë si të dëshiron, pa e pyetur dhe marrë miratimin e nënës apo të vetë fëmijëve! Prindërit e tillë, siç e trajtonte psiko-sociologu kosovar A. Rudaku, në punimin e tij të detajuar shkencor rreth “Xhihadit me Fëmijë”, në fakt e humbin edhe të drejtën e kujdestarimit dhe të rritjes së fëmiut, për shkak që njëri prind e ka dërguar fëmiun në një luftë, e jo në një kopsht fëmijësh ku ata luajnë me lodra, apo kur të vjen 1-shtatori, për të shkuar në çerdhe apo klasë të parë!
DYSHIMET
Gjetjet tregojnë se disa individë që kanë shkuar për të luftuar në Republikën Arabe të Sirisë, nuk kanë vula hyrëse dhe dalëse në pasaportat e tyre, si, në, dhe nga vendi i origjinës, ashtu edhe në vendet nëpërmjet të cilave ata kanë shkelur për të shkuar deri në Siri, e që kryesisht është Turqia, gjë që praktikisht, është e pamundshme nëse kalon portën ajrore të Turqisë dhe nuk ke një vulë hyrëse të vënë në pasaportë, faktet e rrjedhura na krijojnë dyshime të dokumentuara për përfshirjen e shërbimeve tona në këto aktivitete të zeza, për çfarë llogaridhënia penale duhet domosdoshmërisht të kërkohet nëpërmjet ligjit! Prandaj, mendoj se ligjet duhet të saktësojnë llogaridhënien penale të krerëve institucionalë për çdo dështim të organeve të sigurisë, nëse mund ta quajmë dështim.
E sa i përket shqiptarëve të arrestuar si të dyshuar për këto veprimtari, konsideroj se duhet të trajtohen njerëzisht dhe të ndihmohen për t’u rehabilituar në shoqërinë tonë! Shteti është dashur t’i bëjë thirrje atyre që nuk kanë bërë krime, që të kthehen në vend dhe t’i ofrojë garanci dhe mundësi për të jetuar të qetë, duke përfshirë këtu programe për të trajtuar Stresin Postraumatik të Luftës, siç ka bërë rekomandime po i njëti profesionist i lartëcituar në punimin tjetër rreth qasjes psikologjike ndaj luftëtarëve lokal dhe global. Sigurisht edhe ata që kanë bërë krime duhet të ftohen për t’u kthyer në atdhe, për t’u ndjekur penalisht dhe në saje të pendimit të bërë t’u lehtësohet dënimi, gjithnjë duke zbatuar politika njerëzore dhe shoqërore ndaj tyre me qëllim që t’i rehabilitojmë dhe të shërbejnë si shembull për të tjerët që të mos bëhen pjesë e thirrjeve për të luftuar në vatra të huaja! Madje, disa do të largoheshin qysh herët, por kanë frikë nga dezertimi sepse mund të vriten përgjatë rrugës.
Po ashtu, në fillim të gjitha institucionet tona përkrahnin luftën kundër regjimit të Asadit, prandaj duke e parë se opozita siriane ishte e mbështetur edhe nga Perëndimi, edhe më shumë u krijua atmosfera e shkuarjes së të rinjëve tanë në Siri dhë më pas kanë kaluar edhe në Irak, sepse konsiderohej edhe ndihmë dhe mirënjohje ndaj vetë Perëndimit që e ka ndihmuar Kosovën! Pse nuk iu bashkua askush luftës në Gaza; Afghanistan e Irak, sepse askush nga politikanët dhe hoxhallarët nuk e bëri këtë thirrje, ne kemi shqiptar luftëtar tani edhe në Ukrainë sipas raportimeve, po pra; sepse politikishtm, Rusia është armiku ynë historik dhe se politika shqiptare mbështet një Ukrainë Evropiane pa Rusinë.
Spektakli mediatik i gushtit në Prishtinë, është pasojë e kaosit të krijuar nga vetë autoriteti qeverisës i vendit, për shkak që qeveritë tona përmes praktikave të frikësimit të popullatës së përgjithshme, dukshmërisht edhe terrorizimit të tyre, po tentojnë të fshehin të zezat e tyre. Administratat tona janë aq thellë të zhytura në këtë kaos, saqë nëpërmjet spektakleve televizive dhe zhurmave për ligjin gjoja të rrezikshëm, po tentojnë të lajnë duart e tyre, që unë konsideroj se tashmë i kanë të lyera me gjak.
Duke konkluduar se të gjitha faktet që i përmendëm kërkojnë përgjegjësi penale nga personat fizik ligjorë, të cilët në një mënyrë apo tjetër i kanë stimuluar të rinjët shqiptarë për t’u bashkuar radhëve të armatosura shoveniste në Siri, uroj që shoqëria shqiptare nuk do të lejon që këto rrethana të kalojnë heshturazi, por të reagojnë me çdo kusht, derisa të vihen para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të krijimit të këtij kaosi. E një dëmshpërblim ndaj këtij krimi njerëzor duhet t’i kërkohet të gjithë akterëve të tjerë nëdrkombëtarë të përfshirë në këtë proces.